Konferenca Ndërkombëtare për Autizmin 2026

FONDACIJA KONGRES_Web baner_1000x1000px-02

Nga 18 deri më 20 nëntor 2026, në Hotelin Holiday Inn në Shkup do të mbahet edicioni i dytë i Konferencës Ndërkombëtare për Autizmin “Përmes Prizmit”, organizuar nga Fondacioni Dr. Verica Mehanxhiska. Vizioni afatgjatë është që konferenca të shndërrohet në një platformë të konsoliduar dhe të rëndësishme rajonale për shkëmbimin e gjetjeve më të fundit shkencore, përvojave klinike, praktikave bashkëkohore dhe informacioneve në fushën e autizmit, duke bashkuar profesionistë, studiues, familje dhe persona me autizëm.

Gjatë tri ditëve të konferencës, programi do të zhvillohet në katër salla – PERSPEKTIVA, KALEIDOSKOPI, REFLEKSIONE dhe FOKUS – dhe do të përfshijë më shumë se 50 prezantime, panel-diskutime, punëtori dhe sesione interaktive, me pjesëmarrjen e ekspertëve të njohur ndërkombëtarë dhe rajonalë. Temat do të përfshijnë një gamë të gjerë çështjesh aktuale, nga identifikimi dhe diagnostikimi i hershëm, gjenetika, biomarkerët dhe aplikimi i inteligjencës artificiale, deri te ndërhyrjet e personalizuara, komunikimi, sfidat shqisore, arsimi, jetesa e pavarur, punësimi, neurodiversiteti dhe përfshirja sociale.

Me qasjen e saj multidisiplinare, gamën e larmishme të folësve dhe programin gjithëpërfshirës, konferenca synon të jetë një nga ngjarjet më të mëdha dhe më të rëndësishme kushtuar autizmit në Ballkan. Ajo synon të krijojë një hapësirë ku shkenca takohet me praktikën dhe njohuritë profesionale me përvojat e jetuara të personave me autizëm dhe familjeve të tyre.

Për të parë agjendën e konferencës, klikoni KËTU.

Konferenca është falas për të gjithë pjesëmarrësit. Sistemi për sigurimin e biletave falas do të hapet së shpejti. Ndiqni faqen tonë të internetit dhe kanalet tona në rrjetet sociale për informacione se si të siguroni biletën tuaj.

Në nëntor, Shkupi do të bëhet një vend ku dija, përvoja dhe vizioni i përbashkët do të takohen “Përmes Prizmit” të shkencës, përvojës profesionale, perspektivave të ndryshme dhe, mbi të gjitha, përvojave të personave me autizëm dhe familjeve të tyre – të gjithë ata bashkuar nga një qëllim për të krijuar një të nesërme më të mirë dhe më gjithëpërfshirëse.