Kthehu te media

Udhëzues praktik për ushtrimin e të drejtës së shtesës së veçantë

Shtesa e veçantë është një kompensim financiar, i cili, në përputhje me sistemin ekzistues të mbrojtjes së fëmijëve dhe mbrojtjes sociale, u takon fëmijëve me aftësi të kufizuara, përfshirë fëmijët me autizëm, dhe mund të ushtrohet nga njëri prej prindërve ose kujdestarëve të tyre, deri në moshën 26 vjeç.

Cilat janë kushtet themelore për ushtrimin e kësaj të drejte?

Prindërit ose kujdestarët e fëmijës të krnë vendbanim të përhershëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut;

Fëmija të jetë shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të ketë vendbanim të përhershëm në vend, deri në moshën 26 vjeç;

Fëmija është kontrolluar nga mjek specialist dhe ka diagnozë të vendosur sipas KNF-së.

Fëmija është vlerësuar si person me aftësi të kufizuara, përmes vlerësimit funksional sipas Klasifikimit Ndërkombëtar të Funksionimit, Aftësisë së Kufizuar dhe Shëndetit (KNF).

Kjo e drejtë nuk mund të ushtrohet nëse fëmija është i vendosur në institucion të mbrojtjes sociale jashtëfamiljare ose në ndonjë institucion tjetër me vendim të Qendrës për Punë Sociale.

Cila është procedura për ushtrimin e së drejtës?

Nëse si prind ose kujdestar dyshoni për devijime në zhvillimin e fëmijës, ndiqni këto hapa:

Hapi i parë

Drejtohuni te mjeku juaj amë, i cili do t’ju udhëzojë për kontrolle të mëtejshme specialistike. Nëse mjeku specialist konstaton një çrregullim zhvillimor, do të lëshohet raport mjekësor me diagnozë sipas KNS-së.

Ruani me kujdes të gjithë dokumentacionin mjekësor, pasi do të jetë i nevojshëm në procedurën për ushtrimin e së drejtës.

Hapi i dytë

Pas vendosjes së diagnozës, duhet të kryhet vlerësimi funksional i fëmijës sipas KNF-së.

Ky vlerësim realizohet nga një ekip profesional, zakonisht i përbërë nga psikolog, psikiatër për fëmijë, edukator special dhe rehabilitues, logoped dhe profesionistë të tjerë sipas nevojës.

Vlerësimi funksional lidhet drejtpërdrejt me mundësinë për të ushtruar të drejtën e shtesës së veçantë, si dhe me qasjen në shërbime të tjera sociale, shëndetësore dhe arsimore.

Shihni këtu listën e qendrave ku realizohet vlerësimi funksional sipas KNF-së, së bashku me kontaktet përkatëse.

E rëndësishme:

Në pjesën “Të drejtat dhe shërbimet e rekomanduara” të raportit, duhet të jetë e shënuar qartë e drejta për shtesë të veçantë, nëse përmbushen kushtet.

Në rast se mungon, rekomandohet të kërkohet korrigjim në kohë nga ekipi vlerësues.

Hapi i tretë

Paraqitet kërkesa dhe dorëzohet dokumentacioni për ushtrimin e të drejtës në Qendrën për Punë Sociale, nga njëri prind ose kujdestar.

Kërkesa dorëzohet në Qendrën kompetente sipas vendbanimit të parashtruesit dhe merret nga punonjësi profesional.

Dokumentet e nevojshme

Certifikata e lindjes së fëmijës (pa kufizim date lëshimi);

Raporti i vlerësimit funksional (KNF), ku duhet të jetë e shënuar e drejta për shtesë të veçantë;

Certifikata e martesës së prindërve, ose dokumentet përkatëse (vendim kujdestarie, certifikatë vdekjeje, vendim divorci);

Letërnjoftimi i vlefshëm i parashtruesit (për verifikim identiteti dhe vendbanimi);

Vendimi për kategorizim dhe vërtetimi se fëmija nuk është i vendosur në institucion shtetëror;

Numri i llogarisë bankare (transaksionale);

Deklarata për përdorimin e të dhënave personale.

Shuma e shtesës së veçantë

Shuma e saj përcaktohet me Ligjin për Mbrojtjen Sociale dhe harmonizohet çdo vit me rritjen e kostos së jetesës, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave.

Shuma është më e lartë në rastet kur prindi është i vetëm (prind vetëushqyes).

Kur konsiderohet prindi vetëushqyes?

Kur njëri prind ka ndërruar jetë;

Kur fëmija përfiton pension familjar pas vdekjes së një prindi;

Kur fëmija është nga martesë e divorcuar;

Kur njëri prind është i panjohur;

Kur njëri prind është i zhdukur.

Afati i realizimit të së drejtës

E drejta për shtesë të veçantë fillon nga dita e paraqitjes së kërkesës, edhe pse vendimi përfundimtar mund të merret më vonë.