Kthehu te media

Si të kujdesemi për veten ndërkohë që kujdesemi për fëmijën tonë në spektrin e autizmit

Kujdesi për një fëmijë në spektrin e autizmit është pjesë e një rrugëtimi jetësor të mbushur me shumë dashuri, përkushtim, sfida, ulje-ngritje, por edhe me shumë mësime. Jeta ndoshta nuk do të jetë kurrë ashtu siç e kishit imagjinuar. Po, fatkeqësisht, gjërat jo gjithmonë zhvillohen sipas planeve tona. Por të kesh një fëmijë në spektër nuk është dënim; përkundrazi, është një mundësi e jashtëzakonshme për të mësuar si të bëhesh një njeri më i mirë. Vetëm mendoni: kush tjetër gëzohet për gjërat më të vogla ashtu siç gëzoheni ju?

Megjithatë, një nga gabimet më të mëdha që bëjnë prindërit dhe kujdestarët gjatë këtij rrugëtimi është se shpesh përqendrohen plotësisht te nevojat e fëmijës së tyre – terapitë, ruajtja e rutinave, mbështetja emocionale, përkushtimi maksimal ndaj përparimit të tij – dhe, pa e kuptuar, e vendosin veten në vend të fundit. Por e vërteta është e thjeshtë dhe shumë e rëndësishme: që të mund të jemi mbështetje e mirë për fëmijën tonë, duhet të kujdesemi edhe për veten.

Ti nuk je prind egoist nëse kujdesesh për veten

Kujdesi për veten nuk është luks dhe as “mëkat”; ai është nevojë. Kur je i rraskapitur, nën stres ose duke u përballur me sfida të mëdha emocionale, është shumë më e vështirë t’u përgjigjesh me qetësi dhe durim nevojave të fëmijës. Kujdesi për veten është mënyrë për ta ruajtur forcën tënde – dhe ajo forcë do të të duhet si për veten, ashtu edhe për fëmijën.

Prano se nuk duhet të jesh “prind i përsosur”

Nuk ka prindër të përsosur dhe as ditë të përsosura. Është krejtësisht normale të kalosh momente lodhjeje, mungese motivimi, frustrimi, ndoshta edhe vetëkeqardhjeje apo dyshimi në aftësitë e tua prindërore. Lejoja vetes të jesh njeri. Pranimi i kufijve të tu është shenjë pjekurie, jo dobësie.

Kërko dhe prano mbështetje

Nuk duhet t’i bësh të gjitha vetë. Një bisedë me partnerin, një mik, një familjar ose një prind tjetër të një fëmije me çrregullim të spektrit të autizmit mund të bëjë një ndryshim të madh. Nëse ke mundësi, edhe mbështetja profesionale nga një psikolog ose këshilltar mund të jetë një burim shumë i vlefshëm. Dhe jo, nuk është as turp e as dobësi të kërkosh ndihmë kur ke nevojë.

Gjej kohë vetëm për veten

Kujdesi për veten nuk kërkon gjithmonë investime të mëdha dhe nuk do të thotë domosdoshmërisht pushime të gjata apo shpenzime të mëdha. Ndonjëherë mjaftojnë 10 minuta qetësi, një kafe e ngrohtë në paqe, një shëtitje e shkurtër në natyrë ose dëgjimi i muzikës së preferuar. Këto momente të vogla që “ta mbushin baterinë” kanë shumë rëndësi.

Kujdesu edhe për shëndetin tënd

Jo vetëm shëndeti mendor, por edhe ai fizik është i rëndësishëm. Mundohu t’i sigurosh vetes gjumë të rregullt, ushqim sa më cilësor dhe aktivitet fizik. Këto gjëra ndikojnë drejtpërdrejt në energjinë dhe gjendjen tënde emocionale. Trupi dhe mendja janë të lidhur – kur vuan njëri, vuan edhe tjetri.

Mos harro kurrë pse e bën gjithë këtë

Në ditët e vështira, kur përballesh me sfida të mëdha, përqendrohu te dashuria që ke për fëmijën tënd. Kujtoji vetes se pikërisht ti, në këtë botë plot sfida, je siguria, mbështetja dhe aleati i tij më i madh. Është e rëndësishme të jesh pranë tij dhe të vazhdosh të mbetesh mbështetja e tij më e fortë. Por që kjo të jetë e mundur, duhet të kujdesesh edhe për veten.

Kujdesi për një fëmijë me çrregullim të spektrit të autizmit nuk është sprint; është maratonë që shpesh e vë në provë qëndrueshmërinë tënde.

Lejoja vetes pushimin dhe prano faktin se edhe ti ke nevojë për mbështetje dhe mirëkuptim. Edhe ti je i rëndësishëm. Kjo nuk është egoizëm. Dhe mos harro kurrë – nga mirëqenia jote varet, në masë të madhe, edhe mirëqenia e fëmijës tënd me çrregullim të spektrit të autizmit.