Kur një fëmijë diagnostikohet në spektrin e autizmit, shumë prindër pyesin veten në heshtje: “A bëra vallë diçka gabim?” Me këtë tekst po e themi me zë të lartë: jo, nuk jeni fajtorë dhe asnjë nga veprimet tuaja si prindër nuk ka çuar në shfaqjen e autizmit te fëmija juaj.
Miti 1: Autizmi te fëmija është rezultat i edukimit të keq
E vërteta: Autizmi është një gjendje neurozhvillimore me bazë biologjike dhe gjenetike. Pavarësisht stilit tuaj të prindërimit, as dashuria që i jepni fëmijës dhe as mënyra e disiplinimit apo edukimit nuk janë shkaktarë të kësaj gjendjeje.
Ky mit u ka shkaktuar dhimbje prindërve për dekada të tëra, por shkenca e ka hedhur poshtë prej kohësh. Prandaj, mos lejoni që të tjerët t’ju bindin për të kundërtën dhe t’ju shkaktojnë dhimbje shtesë shpirtërore.
Fatkeqësisht, shumë shpesh mund të dëgjoni se si prindër keni “humbur diçka” në zhvillimin e hershëm të fëmijës. Por gjithmonë mbani mend se shenjat e hershme të autizmit mund të jenë delikate dhe të ndryshme tek çdo fëmijë. Nuk ka simptoma të unifikuara. Çdo formë e spektrit mund të shfaqet ndryshe.
Edhe kur ka vonesë në momentin kur ju, si prindër, keni vërejtur se fëmija po devijon nga zhvillimi tipik, kjo nuk do të thotë se keni gabuar. Njohja e situatës dhe kërkimi i mbështetjes janë shenjë përgjegjësie.
Miti 2: Autizmi është një sëmundje që duhet shëruar
E vërteta: Autizmi nuk është një sëmundje, por një mënyrë e ndryshme e funksionimit dhe perceptimit të mjedisit.
Shikojeni autizmin nga perspektiva e një gjendjeje neurozhvillimore dhe jo si një sëmundje për të cilën duhet të jeni vazhdimisht në kërkim të një kure. Në vend të “rregullimit” të fëmijës me autizëm, nevojiten mirëkuptim, pranim, mbështetje e vazhdueshme adekuate dhe punë profesionale.
Miti 3: Fëmijët me autizëm nuk kanë emocione, nuk dinë të duan dhe nuk lidhen me njerëzit e tjerë
E vërteta: Ata ndiejnë më thellë dhe më fort sesa mund ta imagjinoni. Ata i duan njerëzit përreth tyre dhe kanë nevojë për ndjenjën e lidhjes, rutinës dhe përkatësisë.
Ajo që është e ndryshme është mënyra se si i shprehin emocionet dhe nevojat e tyre. Edhe pse mënyra e shprehjes mund të jetë ndryshe, dashuria, gëzimi dhe lidhja janë padyshim të pranishme; thjesht duhet të gjeni mënyrën e duhur për t’i njohur ato.
Miti 4: Prindi duhej “të përpiqej më shumë”
E vërteta: Prindërit e fëmijëve në spektrin e autizmit zakonisht investojnë më shumë përpjekje, më shumë energji dhe më shumë dashuri sesa mund të shohë mjedisi përreth.
Kërkohet një ndryshim i plotë i perceptimit për të ardhmen, si dhe një ndryshim i mënyrës së mëparshme të funksionimit të prindërve si individë dhe si familje. Kur gjërat nuk ndodhin spontanisht dhe kërkohet më shumë përpjekje, durim dhe vullnet për të mësuar e zhvilluar aftësi te fëmija, në vend të gjykimit se “prindi duhej të përpiqej më shumë”, ofroni mbështetjen tuaj.
Hapat e vegjël çojnë në fitore të mëdha, ndërsa mbështetja e rrit forcën e prindit. Mos harroni: ju, si prindër të një fëmije në spektrin e autizmit, nuk jeni fajtorë dhe nuk keni pse të bëni gjithçka vetë; ju po bëni më të mirën që mundeni me njohuritë dhe burimet që keni aktualisht në dispozicion.
Miti 5: “Fëmija do ta kalojë autizmin nëse i japim vetëm pak kohë”
E vërteta: Autizmi nuk është një fazë që kalon me rritjen. Ai është pjesë e profilit neurozhvillimor të personit.
Me kalimin e kohës, me mbështetjen e duhur profesionale, strategjitë e përshtatshme, si dhe mbështetjen nga familja, sistemi arsimor dhe mjedisi rrethues, fëmija mund të zhvillojë aftësi të reja dhe të përparojë ndjeshëm — por kjo nuk do të thotë se autizmi është “zhdukur”.
Mos e shikoni mbështetjen e hershme si pranim të disfatës, etiketim të fëmijës apo ekspozim ndaj stigmatizimit, por si një investim në potencialin e fëmijës dhe në një nivel më të lartë funksionaliteti në të ardhmen.