Ndonëse te një fëmijë në spektrin e autizmit mund të mungojë e folura verbale, kjo nuk do të thotë se atij i mungojnë dëshirat, mendimet apo ndjenjat. Kjo thjesht nënkupton se nevojitet një mënyrë dhe një qasje tjetër për shprehjen e tyre.
Si prind, më e vështira është kur ndieni se fëmija juaj ka diçka për të thënë, por nuk mund të shprehet. Pamundësia për të komunikuar shpesh çon në frustrim, nervozizëm, lot dhe keqkuptime si te fëmija ashtu edhe te prindi.
Terapia PECS (Picture Exchange Communication System – Sistemi i Komunikimit përmes Shkëmbimit të Figurave) është një metodë që e ndihmon fëmijën në spektrin e autizmit ta hedhë hapin e parë drejt shprehjes në një mënyrë të qartë dhe të kuptueshme për rrethin.
Bëhet fjalë për një sistem të komunikimit alternativ të zhvilluar nga Lori Frost dhe Andrew Bondy, i cili bazohet në shkëmbimin e figurave – fëmija jep një figurë për një objekt ose aktivitet që dëshiron dhe në këtë mënyrë mëson se komunikimi me rrethin sjell rezultate: arritjen e qëllimeve, plotësimin e nevojave dhe dëshirave.
Me kalimin e kohës dhe me zbatim të rregullt, ky shkëmbim figurash rezulton në një pavarësi më të madhe te fëmija, inkurajon iniciativën e tij dhe shpesh mund të kontribuojë në zhvillimin e të folurit verbal.
Si funksionon terapia PECS?
Kjo terapi zbatohet në disa faza:
Shkëmbimi i një figure – Fëmija mëson se duke dhënë një figurë mund të marrë diçka që dëshiron.
Inicimi spontan – Fëmija fillon komunikimin në mënyrë të pavarur.
Dallimi i figurave – Mëson të zgjedhë figurën e duhur nga disa të ofruara.
Ndërtimi i fjalisë – Krijon fjali të thjeshta (p.sh. “Unë dua lëng”).
Përgjigjja ndaj pyetjeve – Përgjigjet në pyetje si “Çfarë dëshiron?”
Komentimi dhe zgjerimi – Fillon të shprehë ndjenja, mendime dhe komente.
Çdo hap përshtatet sipas ritmit të fëmijës, pa krijuar ndjenjë presioni.
Përfitimet e terapisë PECS
Zvogëlon sjelljet që lidhen me frustrimin dhe pasigurinë;
Rrit vetëbesimin dhe ndjenjën e sigurisë;
Nxit ndërveprimin social;
Në plan afatgjatë mund të mbështesë zhvillimin e të folurit verbal.
Prindi ka një rol shumë të rëndësishëm në të gjithë procesin. Kjo nuk është vetëm një terapi që zhvillohet nga një profesionist për gjysmë ore në ditë, por pjesë e jetës së përditshme, e rutinave dhe e lojës së fëmijës. Tek prindërit qëndron përgjegjësia për ta mbështetur fëmijën që të komunikojë edhe jashtë mjediseve terapeutike.
Pse PECS kërkon një qasje të balancuar?
Një nga bazat e kësaj mënyre komunikimi është që prindërit të kenë pritshmëri reale.
Kërkon kohë – Nuk duhen pritur rezultate të menjëhershme. Nevojitet punë e vazhdueshme, përsëritje dhe përfshirje e familjes.
Çdo fëmijë reagon ndryshe – Disa fëmijë përparojnë shpejt, të tjerë më ngadalë. Ndonjëherë metoda duhet kombinuar me qasje të tjera.
Mund të krijohet varësi nga materialet vizuale – Fëmija mund të mbështetet shumë te figurat, ndaj kërkohet organizim i vazhdueshëm.
PECS nuk garanton zhvillimin e të folurit verbal.
Kërkon trajnim dhe zbatim korrekt – Përndryshe efektet mund të jenë të kufizuara.
Përfundim
PECS nuk është një zgjidhje magjike, por një mjet për ndërtimin e komunikimit. Për disa familje mund të jetë një pikë kthese në jetë, ndërsa për të tjera një pjesë e rëndësishme e një plani më të gjerë terapeutik.
Më e rëndësishmja është që fëmija të ketë një mënyrë për t’u shprehur – pa presion, pa krahasime dhe pa pritshmëri joreale. Çdo fëmijë ka ritmin e vet, ndërsa roli ynë si prindër është ta ndjekim, ta mbështesim dhe t’i japim mundësinë të dëgjohet.