Kthehu te media

Mbështetje pa gjykim – kushdo mund ta ndihmojë një person me autizëm

Sa herë që shihni një fëmijë me autizëm duke mbuluar veshët, duke u rrotulluar në rreth, duke përplasur duart ose duke lëvizur trupin para–mbrapa, kur bërtet me zë të lartë, qan pa ngushëllim ose shtyn diçka, kur tërhiqet dhe nuk e dëshiron praninë tuaj ose nuk ju shikon në sy, mbani mend: fëmija me autizëm nuk është i llastuar dhe as i pabindur. Ai është pjesë e një bote që për të mund të jetë shumë e zhurmshme, shumë e shpejtë dhe shumë e lodhshme.

Imagjinoni sikur drita t’ju shponte si gjilpëra, zërat e lartë të ju jehonin në kokë dhe të shkaktonin ndjesi të dhimbshme, ndërsa prekja e të tjerëve të ishte e pakëndshme dhe konfuze. Ky intensitet përjetimesh është një sfidë e madhe për personat me autizëm.

Mbani mend:

• Sjellja e fëmijës me autizëm është reagim i pavullnetshëm ndaj mbingarkesës shqisore, frikës, dhimbjes ose lodhjes.

• Fëmija nuk është i pabindur dhe prindi nuk është i dështuar.

• Prindi shpesh është nën stres dhe përballet me gjykim publik.

Në këto momente, prindit nuk i duhen këshilla. Ndonjëherë mjafton të mos gjykoni, të mos kritikoni dhe të mos ndërhyni pa nevojë.

Jepni hapësirë. Qëndroni të qetë. Mundohuni të kuptoni. Lejojeni prindin të qetësohet dhe të mos ndihet vetëm.

Prindi i një fëmije me autizëm nuk ka nevojë për keqardhje apo këshilla të pakërkuara. Ai ka nevojë për mirëkuptim dhe mbështetje.

Si mund të ndihmoni:

1. Jepni hapësirë

• Mos gjykoni.

• Thuani qetësisht: “Le t’u japim pak hapësirë.”

2. Qëndroni të qetë

• Flisni ngadalë dhe me zë të ulët.

• Mbani distancë, nëse nuk ju kërkohet afërsi.

3. Ofroni ndihmë me respekt

• “A mund t’ju ndihmoj?”

• “Mund të qëndroj këtu dhe të ndihmoj me hapësirën.”

• “Merrni kohën tuaj, po ia dilni shumë mirë.”

Nëse përgjigja është “jo”:

• “Sigurisht, jam këtu nëse ju duhet.”

4. Ndihmë praktike (vetëm nëse pranohet)

• Sillni ujë

• Kujdesuni për vëllezërit/motrat

• Krijoni një hapësirë më të qetë

• Ndihmoni në largimin e turmës përreth

Gjithmonë ndiqni udhëzimet e prindërve – ata e njohin më së miri fëmijën e tyre.

Çdo fëmijë meriton të jetë vetvetja, dhe çdo prind meriton mirëkuptim në vend të gjykimit. Ata po bëjnë më të mirën që munden.

Bëhuni mbështetje, jo gjykues. Dhe mbani mend: kushdo mund të ndihmojë.