Ndonjëherë prindërimi nuk është ashtu siç e kishim imagjinuar, veçanërisht kur jemi prindër të një fëmije në spektrin e autizmit.
Ndonjëherë vjen një moment kur e shikoni fëmijën tuaj, e përqafoni, e puthni… dhe prisni. Prisni një fjalë. Një “mami”. Një “babi”. Një zë të vogël që ju thërret. Muzikë për veshët tuaj. Shërim për shpirtin tuaj të lodhur.
Por fjalët nuk vijnë.
Për një prind të një fëmije joverbal me autizëm, ai moment mund të jetë i mbushur me emocione të forta – trishtim, frikë, pyetje dhe pasiguri. Ndonjëherë shfaqet edhe ndjenja e vetmisë, sikur askush përreth jush nuk e kupton vërtet atë që po përjetoni.
Me siguri pyesni veten:
A më kupton fëmija im?
A do të flasë ndonjëherë?
A e di sa shumë e dua?
Por ekziston një e vërtetë e madhe që shumë prindër e zbulojnë me kalimin e kohës.
Edhe fëmijët që nuk shprehen me fjalë, përsëri komunikojnë. Përpiquni t’i vini re ato hapa të vegjël drejt komunikimit. Ata flasin me shikimin që ju kërkon në dhomë. Me dorën e vogël që e vendosin në tuajën. Me buzëqeshjen ose tingullin e gëzimit që shfaqet kur u afroheni apo kur i bëni të lumtur. Me qetësinë që ndiejnë kur janë në përqafimin tuaj ose pranë jush, kur ju jeni aty.
Këto janë fjalët e tyre.
Rruga e komunikimit te fëmijët me autizëm ndonjëherë është ndryshe nga ajo që kemi pritur. Por “ndryshe” nuk do të thotë “e pamundur”. Kjo rrugë thjesht kërkon më shumë durim, mirëkuptim dhe dashuri.
Si prindër, gjëja më e rëndësishme që mund të bëjmë është të mësojmë gjuhën e fëmijës sonë.
Vëzhgojeni fëmijën tuaj – trupi i tij tregon shumë më tepër sesa mendojmë.
Ndiqni interesat e tij – aty fillon komunikimi.
Përdorni gjeste, fotografi dhe mbështetje vizuale për ta ndihmuar të shprehet.
Gëzohuni për çdo hap të vogël – çdo shikim dhe çdo përpjekje për kontakt ka rëndësi.
Kërkoni mbështetje nga profesionistët dhe nga prindër të tjerë – nuk keni pse ta përballoni vetëm këtë rrugëtim.
Dhe gjëja më e rëndësishme që duhet të mbani mend në ato momente “të heshtura” është kjo:
Fëmija juaj mund të mos flasë me fjalë, por ai ndien. Ai e ndien dashurinë tuaj, praninë tuaj, durimin tuaj dhe besimin që keni tek ai dhe tek përparimi i tij.
Dhe ndonjëherë, lidhja më e thellë mes prindit dhe fëmijës krijohet pikërisht aty – në heshtje, aty ku fjalët nuk janë të nevojshme dhe dashuria flet më zëshëm.