Pothuajse gjithmonë, kur dëgjoj fjalën “gjithëpërfshirje”, mendoj se si e përjeton mjedisi im këtë koncept ‒ si një strategji dhe qëllim që duhet arritur, si pjesë e fjalimeve të bukura dhe dokumenteve të gjata. Por çfarë është, në të vërtetë, gjithëpërfshirja për ne, për një fëmijë në spektrin e autizmit? Është një nevojë e përditshme, një mënyrë jetese që bën një ndryshim të madh mes asaj nëse fëmija do të kuptohet apo do të gjykohet, nëse do të pranohet apo do të injorohet.
Gjithëpërfshirja nuk kërkon burime financiare të mëdha, programe komplekse sociale apo sisteme të ndërlikuara arsimore. E vërteta është se gjithëpërfshirja është shumë e thjeshtë dhe është mishërim i empatisë dhe përgjegjësisë njerëzore: fillon nga ndryshimet e vogla në sjelljen e përditshme të secilit individ, por ka ndikim të madh në shoqëri.
Gjithëpërfshirja nuk lind nga një dokument apo strategji, por nga zemra dhe vetëdija e çdo personi. Një komunitet gjithëpërfshirës nuk ndërtohet me keqardhje apo etiketim, por me respekt për diversitetin dhe për nevojat që ai sjell. Autizmi si diagnozë nuk e përcakton personin.
Në vend që të pyesim: “Çfarë nuk shkon me këtë fëmijë?”, gjithëpërfshirja na mëson të pyesim: “Çfarë mund të bëj unë që ta bëj më të lehtë jetën e këtij fëmije?”
Thelbi i gjithëpërfshirjes është që shoqëria ta pranojë rolin e saj në zgjerimin e mirëkuptimit dhe pranimit të personave me autizëm, në vend që t’i kufizojë ose minimizojë potencialet e tyre. Duhet të kemi parasysh se një fëmijë me autizëm që shmang kontaktin me sy nuk është i paedukatë. Një fëmijë që reagon fuqishëm ndaj zhurmave të larta nuk është “i llastuar”. Një fëmijë që përsërit fjalë pa kontekst ose bën lëvizje të pazakonta nuk është “i çuditshëm”. Këta janë fëmijë që e përjetojnë botën në mënyrë të ndryshme. Gjithëpërfshirja është pikërisht kjo – ndryshimi i mënyrës se si ne si shoqëri i interpretojmë këto sjellje dhe zgjerimi i kuptimit tonë për autizmin.
Pikërisht këtu, ndryshimet e vogla mund të kenë ndikim të madh te personat në spektrin e autizmit: një minutë më shumë për ta ndihmuar një nxënës të mbledhë mjetet shkollore; një prind që i shpjegon fëmijës pse një bashkëmoshatar sillet ndryshe; një blerës që i jep përparësi prindit me fëmijë me autizëm në radhë; njerëz që flasin më qetë në praninë e një fëmije në spektër; një mësues që përshtat qasjen e tij për t’ia transmetuar njohuritë nxënësit.
Po flasim për mundësinë që fëmijët me autizëm të rriten, të mësojnë dhe të shoqërohen në një shoqëri që nuk i përjashton për shkak të dallimeve, por i pranon ato. Kjo nuk është një “dhuratë”, por një fitim për gjithë shoqërinë, sepse na rikujton vlerat themelore njerëzore si durimi dhe empatia. Vlera e një shoqërie nuk matet me atë se sa e shpejtë, e zhurmshme apo “normale” është, por me aftësinë e saj për të pranuar më të cenueshmit.
Prandaj, herën tjetër kur përballemi me diversitetin, le të mos e shohim si problem që duhet zgjidhur, por si mundësi për t’u rritur si individë. Një ndryshim i vogël në qëndrimin tonë ndaj tjetrit mund të ketë ndikim të madh pozitiv në jetën e një fëmije me autizëm. Dhe ndonjëherë, pikërisht kjo është gjithçka që nevojitet për të ndërtuar një komunitet vërtet gjithëpërfshirës.